
Legjislatura e II-të e Parlamenti të Nxënësve të Shqipërisë, ka nisur punimet sot në sallën e Kuvendit, në praninë e ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla.
Në këtë takim pjesëmarrës ishin nxënës nga Legjisltura e re dhe ajo e kaluar e Parlamentit të Nxënësve.
Pikërisht, Kushi, fjalën e saj e nisë me këta të fundit duke vënë në dukje bashkëpunimin dhe harmoninë që i ka karakterizuar ata.
“Ka disa vlera që ne të rriturit duhet t’i mësojmë nga ju. Është pikërisht bashkëpunimi dhe harmonia që në parlamentin e të rriturve mungon”, theksoi Kushi.
Nisur edhe nga rastet e fundit, ministrja Kushi ka kërkuar nga nxënësit bashkëpunim të ngushtë që për luftën kundër fenomeneve negative apo të dhunës të ketë edhe më shumë përfshirje dhe mbështetje, me qëllim identifikimin e rasteve në kohë sa më të shpejtë bashkë me mësuesit dhe me punonjësit psiko-socialë.
“Derën e Ministrisë së Arsimit do ta keni gjithnjë të hapur për të sjellë shqetësimet tuaja apo të bashkëmoshatarëve tuaj. Parlamenti i kaluar na dha shumë ide për mësimin online, nismën ‘Digjitalizo një Nxënës’, lufto kundër bullizmit dhe fenomeneve sociale”, vijoi Ministrja Kushi me fjalën e saj.
Ndër të tjera Kushi shtoi se ky në këtë parlament kanë dominuar vajzat.
Sipas kryeparlamentares Lindita Nikolla, zgjedhja e Parlamentit të Nxënësve është një ngjarje e shënuar për sistemin tonë arsimor sepse nxit e fuqizon pjesëmarrjen aktive të nxënësve në proceset e vendimmarrjes dhe në rritjen e cilësisë së procesit arsimor.
“Ne, Parlamenti i Shqipërisë dhe Parlamenti juaj, kemi disa ngjashmëri numerike e strukturore: numër të barabartë anëtarësh dhe komisione pak a shumë të njëjta.
Unë kam besim se këto ngjashmëri do të na shërbejnë të dy palëve për të shkëmbyer eksperiencat më të mira të debatit parlamentar, ndjekjes së problemeve e shqetësimeve të votuesve e qytetarëve etj”, shtoi Nikolla.
Nikolla i inkurajoi të rinjtë të ndjehen të lirshëm dhe të sjellin në debatin e tyre çështjet jo vetëm të moshës, interesave e pasioneve të tyre, por edhe çështje që i interesojnë të gjithë shoqërisë.
Kryeparlamentarja Nikolla bëri të ditur se shumë shpejt në Kuvendin e Shqipërisë, ngjitur me këtë sallë, do të ngrihet Punishtja e Demokracisë, si një qendër e debatit demokratik rinor, ku ju do të keni të gjitha mundësitë dhe aksesin për të ushtruar aftësitë dhe konsoliduar shprehitë tuaja demokratike, vlerat, dijet, talentin dhe pasionin tuaj për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë.
Kjo është legjislatura e dytë e këtij parlamenti me 140 pjesëmarrës, i cili shërben si një organ këshillimor pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, me fokus pjesëmarrjen aktive në proceset e vendimmarrjes dhe rritjes së cilësisë në procesit arsimor.



