Prishtina do të mirëpresë të hënën mbledhjen e tetë të përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj te Kosovës, ku pritet të finalizohen dakortësitë e arritura më herët por dhe të nënshkruhen disa marrëveshje të tjera në fushën e drejtësisë, arsimit, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit dhe sigurisë publike.
Teksa palët do të ritakohen pas 8 muajsh, jo pak skepticizëm ka patur nga të dyja anët e kufirit për atë çfarë kanë prodhuar marrëveshjet e firmosura më herët.
Teksa krisjen e marrëdhënieve mes dy qeverive, ish-ministri i jashtëm Tritan Shehu e sheh të lidhur ngushtë me nismën e Ballkanit të Hapur, për analistin Nexhmedin Spahiu ky nuk është mospajtimi i vetëm mes Ramës dhe Kurtit.
Në 11 janar të vitit 2014, në Prizren u mbajt mbledhja e parë e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës. Asokohe në krye të qeverisë kosovare ishte Hashim Thaçi, dhe përgjatë këtyre viteve mes dy vendeve janë firmosur më shumë 100 marrëveshje dhe memorandume bashkëpunimi.



