
Partia Demokratike ka mbledhur sot Kuvendin Kombëtar ku bën analizën dhe bilancin e zgjedhjeve. Në fund do të zgjidhen edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar. Në listë janë 600 emra dhe prej tyre do të zgjidhen vetëm 300. Në një lidhje Skype për MCN TV, ish-anëtari i këshillit Kombëtar dhe një nga zërat kritikë të Lulzim Bashës, Edvin Kulluri, tha se mbledhja e sotme në thelb nuk përbën ndryshime të mëdha në funksionin e partisë. Sipas Kullurit të gjithë kryetarët e degëve dhe deputetët janë emëruar prej tij dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit. Kulluri tha se Basha ka dështuar të mundë në zgjedhje PS dhe është bërë kopje e shëmtuar e arrogancës duke mos respektuar normat demokratike të partisë.
“Në thelb nuk ka ndryshime të mëdha që bëjnë lajm apo ndryshojnë funksionimin e partisë. Ne nuk kemi vetëm problemin e akumulimit të pushtetit në një grup, por problemin e sjelljes. Lulzim Basha ka vënë të gjithë kryetarët e degëve dhe deputetët e emëruar prej tij për të bërë fushatë për të dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit. Ai ka dështuar të mundë në zgjedhje Rilindjen duke u bërë kopje e shëmtuar e arrogancës duke mos respektuar normat demokratike të partisë. Nuk ka shpresë për të besuar se do ketë rotacion. Është si të marrësh parlamentin dhe ta kthesh në kabinet të kryeministrit”, tha Kulluri.



