Procesi i dorëzimit të dokumenteve për garën e kryetarit të Partisë Demokratike më 23 maj është shoqëruar me problematika dhe paqartësi në selinë e partisë.
Sipas gazetarit Mariglen Kume, disa prej kandidatëve që shprehën interes për të marrë pjesë në garë janë përballur me dyer të mbyllura dhe mungesë të personave përgjegjës për pritjen e dokumentacionit.
Kandidatë kanë ardhur për të dorëzuar dokumentet për garën e kryetarit të PD. Edhe pse nuk kishte përfunduar afati për pranimin e tyre, zyrat ishin të mbyllura dhe ata janë detyruar t’i lënë dokumentet jashtë. Në disa raste, dokumentet janë lënë në recepsion ose në mënyra të tjera alternative.
Ai shtoi se kandidatja Mereme Sela ka bërë publikisht dorëzimin e dokumenteve para mediave, ndërsa në rastin e Ervin Salianjit, dokumentacioni është tentuar të dorëzohet përmes përfaqësuesve, por pa sukses.
Sipas tij, personi në recepsion ka deklaruar se nuk kishte asnjë përgjegjës për të pritur dokumentet, ndërsa është komunikuar vetëm një qëndrim zyrtar se “Ervin Salianji është i vetëpërjashtuar”, duke përdorur, sipas Kumes, një retorikë të ngjashme me atë të Sali Berishës.
Oresti Berberi dhe një person tjetër, përfaqësues të Ervin Salianjit për të dorëzuar dokumentacionin për garën e kreut në PD janë penguar të futen në ambientet e organizimit për të dorëzuar dokumentacionin, pasi roja nuk ka lejuar hyrjen me udhëzim se s’ka persona dhe se duhet të gjejnë një tjetër mënyrë për t’i dorëzuar.
Ndërkohë, edhe Alesia Balliu ka ndjekur një itinerar të ngjashëm për dorëzimin e kandidaturës, ku dokumentacioni është lënë më pas në tryezën e recepsionit.
Zyrat janë të mbyllura, ndërsa vetë Berisha i ka dorëzuar këto dokumente më herët, përpara se të udhëtonte jashtë shtetit për në Kroaci.



