
Deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho, thotë se në momentin më të mirë për arkëtimet në buxhet, qeveria zgjedh indiferencën ndaj shtresave në nevojë, të cilat por përballen me rritjen e çmimeve. Në një postim në rrjetet sociale, Xhixho thotë se shqiptarët e paguajnë naftën më shtrenjtë se të gjithë qytetarët e rajonit, ndërsa e cilëson Bordin e Transparencës si një organ në shërbim të oligarkëve.
261 lekë litri është çmimi që ka caktuar bordi i zhvatjes, ndërkohë që në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë kushton shumë më pak. Nga kjo shumë, 60% janë taksa që shkojnë në buxhetin e shtetit. Deri në fund të majit janë arkëtuar 342 milionë euro më shumë se e njëjta periudhë e vitit të mëparshëm, ndërkohë që qeveria e inceneratorëve vijon të shohë me indiferencë shtresat më vulnerabël dhe fermerët.
Asnjë masë që të ndihmojë realisht qytetarët të përballojnë këtë krizë, por vetëm propagandë e borde që vetëm transparencë nuk kanë. Sepse kjo qeveri është në funksion të oligarkëve dhe jo në shërbim të qytetarëve.



