Një orë ka zgjatur mbledhja e zhvilluar sot pasdite e Këshillit Politik në Pallatin e Kongreseve, ku takimi ka qenë vetëm për çështje teknike dhe për të mbyllur formalisht marrëveshjen e arritur një ditë më parë.
Në mbledhjen e sotme në fokus ishte përshtatja në shqip e marrëveshjes së arritur, teksti i së cilës u firmos nga palët në anglisht si dhe plotësimi i kuadrit të plotë ligjor me ndryshimet ligjore për t'u votuar më pas në Kuvend. Teksti i marrëveshjes u formula nga ndërkombëtarët në gjuhën angleze që tregon edhe rolin e tyre përcaktues në këto negociata, ku në fund pas dakordësisë palët hodhën firmën.
Pas mbledhjes PD/LSI dhe Rudina Hajdari nuk u prononcuan për mediat, ndërsa Damian Gjiknuri tha shkurt se 'kjo mbledhje ishte teknike për të organizuar punën e ekspertëve sa i përket hartimit të draftit përfundimtar për tu votuar në Kuvend"
Këshilli Politik do të vijojë të mblidhet për draftet që do të zbërthejnë marrëveshjen dhe çështjet e tjera që kanë mbetur për t'u diskutuar që janë hetimi i krimeve zgjedhore, shitblerja e votave, financimi i partive, listat e hapura dhe ligji për Referendumet.
Për financimin e partive palët ranë dakord që të rritet financimi nga shteti dhe të ulet financimi nga privati, por ende nuk është arritur në një marrëveshje se sa përqind do të ndryshojë ajo. Dakordësi është arritur edhe për kuotën gjinore ku 1 nga 3 emra në listat e kandidatëve është vendosur të jetë femër. Konsensus është arritur edhe për rolin e policisë në zgjedhje, ku prania e saj do të jetë gjatë gjithë procesit zgjedhor edhe të numërimit të votave. Gjithashtu është dakordësuar edhe për sistemin e monitorimit të kamerave gjatë procesit të votimit dhe numërimit.
Ndërsa për listat e hapura dhe ligjin e referendumeve, palët vendosët që do ta diskutonin në një fazë të dytë pas plotësimit të rekomandimeve të ODIHR-it, për të cilën Rudina Hajdari u shpreh se ka marrë dhe garancinë e ndërkombëtarëve.
Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe vota e emigrantëve, që i është lënë në dorë KQZ për të vendosur mënyrën se si do ta organizojë atë.
Gjithashtu është rënë dakord mes palëve që krimet zgjedhore të hetohen nga SPAK, ndërsa Kolegji Elektoral do të zgjidhet nga gjykatësit që kanë kaluar procesin e vettingut.



