
Ish-kandidati për Kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, ka depozituar propozimet për ndryshime statutore në PD.
Në dokumentin e dorëzuar në parti, janë të listuara ndryshime lidhur me disa çështje, duke filluar me mandatin e kryetarit të partisë.
“Kryetari i Partisë zgjidhet për një mandat katërvjeçar, i cili mbaron ose rinovohet automatikisht me shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve. Kryetari i Partisë ose bëhet Kryeministër, ose largohet nga drejtimi i partisë pa pasur të drejtë të marrë pjesë në garën e radhës”, thuhet në propozime.
Sipas Kadillit, kryetari mund të shkarkojë për shkak të performancës politike anëtarët e Kryesisë, njëherësh nga funksioni individual.
Lidhur me anëtarët e Këshillit të të Urtëve, ai thotë se nuk duhet të kenë jetë aktive politike, nuk mund të kandidojnë për asnjë funksion tjetër në parti dhe as të zgjidhen si përfaqësues të partisë në asnjë funksion tjetër publik.
“Këshilli i të Urtëve emëron; Administratorin e Përgjithshëm, me funksionet e Sekretarit të Përgjithshëm, Sekretariatin për Etikën, Sekretariatin për Zgjedhjet në Parti, për Organizim dhe Burime Njerëzore, për Çështjet e Statutit dhe për Administrimin e financave të partisë”.
Ndër të tjera Kadilli propozon që, drejtuesit e seksioneve, grupseksioneve dhe forumeve të zgjidhen me parimin “një anëtar-një vote”, ose me vetëdeklarim të konfirmuar të mbështetjes nga anëtarët në përbërje të seksionit, grupseksionit, forumit.
“Këshilli Kombëtar mblidhet të paktën një herë në tre muaj dhe vendos për çështje të rëndësishme politike të partisë”.
Lidhur me financimin nga partia ai propozon ndarjen në tre mënyra.
“Gjysma e masës u shpërndahet degëve proporcionalisht me numrin e votave sipas rezultatit elektoral të arritur në zgjedhjet e fundit, një çerek për funksionimin e administratës së partisë dhe një çerek për funksionimin e ekipit të kryetarit të partisë.







