
Dy ditë pas shkrumbimit nga flakët të katedrales së Notre Dame në Paris, Kosova ka konfirmuar që do jetë një nga shtetet që do e ndihmojë Francën financiarisht.
Kryeministri Ramush Haradinaj, duke shprehur keqardhje për djegien e katedrales, në një takim sot me ambasadorin e Francës, Didier Chabert, ka thënë se edhe Kosova do të ndihmojë në rindërtimin e saj. Megjithatë, ai nuk ka konfirmuar vlerën e mjeteve që janë propozuar në këtë rast.
Menjëherë, pas këtij lajmi, Kryetari i Komunës së Prishtinës, e kryenegociatori Shpend Ahmeti ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj në deklaratën e tij se Kosova do të ndihmojë financiarisht në ndërtimin e Notre Dame. Përmes një shkrimi në Facebook, Ahmeti ka shkruar se paratë do të duhet të shkonin në renovim të shtëpive që janë raste sociale, teksa ka cekur edhe disa raste të djegieve të shtëpive në disa komuna.
“Fondet të cilat qeveria i ka ndarë do të ishte mirë ti ridestinojë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale. Së fundmi kemi pas disa djegie të shtëpive në disa komuna si pasojë e fatkeqësive dhe familjet nuk kanë mundësi me i riparu. Për komunë të Prishtinës mund të ofrojmë informata”, shkroi ai. Ahmeti tutje ka deklaruar se Francës iu është dëshmuar miqësia dhe solidariteti e kjo nuk mund të përmirësohet me para.
Në mediat kosovare, kanë vërshyer sot komentet dhe analizat lidhur me ndihmën ende të padeklaruar që do të ofroj Qeveria Haradinaj. E derisa Kosova e ndihmon Francën, në Prishtinë ka ende objekte për të cilat asnjëherë nuk janë ndarë para nga shteti, ndonëse disa herë janë përfshirë nga zjarri, shkruajnë mediat kosovare.
Njëri ndër objektet më atraktive dhe emblemë e Prishtinës është edhe Pallati i Rinisë i cili ishte djegur në vitin 2000 nga një zjarr i madh duke u dëmtuar mjaft rëndë. Atë kohë Unioni i Fondeve të Republikës së Kosovës kishte ndarë një shumë parash për renovimin, por ky objekt asnjëherë nuk e ka marrë veten, duke u lënë pas dorë nga qeveritë e ndryshme .



