Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti të premten dy bashkëraporterët e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly, me të cilët bisedoi mbi zhvillimet e fundit politike në vend, reformimin e sistemit të drejtësisë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme.
Sipas njoftimit për shtyp të Kuvendit, gjatë takimit, Meta vlerësoi punën e raporterëve dhe bashkëpunimin e ngushtë me APKiE-në në mbështetje të aktivitetit parlamentar të Shqipërisë, veçanërisht në drejtim të rritjes së standardeve të transparencës dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Kryeparlamentari theksoi se në kontekstin aktual, duhet punuar më tej për implementimin pa vonesa të reformës në drejtësi dhe në këtë kuadër fokusi duhet përqëndruar në krijimin e një klime sa më bashkëpunuese dhe konsensuale politike në funksion të avancimit me axhendën e reformave kyçe për integrimin evropian të Shqipërisë.
Meta vuri në dukje gjithashtu se vendi ka nevojë për progres në kryerjen e reformës zgjedhore në kohë dhe sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, ndërkohë që të gjitha palët duhet të reflektojnë një angazhim më të përgjegjshëm politik me qëllim garantimin e standardeve bashkëkohore, legjitimitetit dhe besueshmërisë së procesit kyç të zgjedhjeve të ardhshme.



