Gjatë fjalës së tij, mbajtur si kryesuesi i OSBE-së në takimin e organizuar nga ‘The Enonomist’ në Athinë, Edi Rama vlerësoi si një nga shembujt më të mirë se si duhen zgjidhur konfliktet mes fqinjëve, marrëveshjen për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Rama tha se alternativa e vetme e Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Evropian, pasi kjo sipas tij është kërkesë e fëmijëve tanë, brezit të ardhshëm, por edhe ëndërr e përhershme e etërve tanë.
Ai theksoi se e vetmja mënyrë për ecur përpara është duke mbyllur hendeqet e së shkuarës përmes dialogut.
“Në Ballkanin perëndimor jemi përfshirë prej kohësh në një bashkëpunim, një paqtim. Edhe pse ka çështje të tilla si Kosova dhe mosnjohja e saj nga Serbia, ne kemi qenë në gjendje të ulemi e të diskutojmë bashkë. Këto janë kohë të veçanta sepse jemi goditur si të gjithë nga kjo pandemi dhe sipas parashikimeve të organizatave botërore rajoni ynë do të do të jetë ai më i godituri fort. Megjithatë, mendoj se ka potencial për të ecur përpara duke mbyllur hendeqet e së shkuarës. Mendoj se lajmi i mirë është se mosmarrëveshjet mund të zgjidhen së bashku dhe dialogu është i vetmi instrument për ta përmbyllur këtë hyrje. Një nga shembujt më të jashtëzakonshëm të kësaj kohe është zgjidhja e dialogut me Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha kreu i qeverisë shqiptare.
Kryeministri Edi Rama vlerësoi kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili sipas tij, arriti të thyente tabutë jo vetëm në marrëveshjen me Greqinë, por edhe në mënyrën se si i integroi shqiptarët në qeverinë e tij.
Për kryeministrin shqiptar kjo lidhet me një situatë ku njeriu arrin të sfidojë çdo lloj mendësie, shkon kundër tabuve.
Rama tha se Zaev arriti të ngrihet në një lider maqedon që vendosi gjuhën shqiptare aty ku i takonte, integroi shqiptarët në të gjithë piramidën shtetërore dhe në administratën e vendit.
“Kjo është historike, e jashtëzakonshme dhe një mësim për të gjithë”, tha Rama.



