
45 deputetë të PD dhe opozitës kanë kërkuar ngritjen e dy komisioneve hetimore për skandalin e ndërhyrjes në sistemin TIMS dhe të dhënat personale, si dhe për 4 kontratat e koncesionit në fushën e shëndetësisë.
Kryetarja e Kuvendit ka njoftuar thirrjen e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve për të premten, ora 11:00, ku do të merren në shqyrtim kërkesat e opozitës.
Pesë ditë më parë, opozita ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor për publikimin e të dhënave personale të qytetarëve të cilat kanë rrjedhur bazat e të dhënave shtetërore.
Kërkesa është firmosur nga 45 deputetë të opozitës, ndërsa ajo nuk është firmosur nga deputetët që mbështesin Lulzim Bashën.
Opozita synon që nëpërmjet këtij komisioni të zbardhë rolin e patronazhistëve në zgjedhje, publikimin e pagave, publikimin e targave të makinave, nxjerrjen e llogarive bankare dhe ndërhyrjen në sistemin TIMS. Po ashtu, opozita ka paralajmëruar dhe ngritjen e një tjetër komisioni hetimor që lidhet me procedurat e koncesioneve.
Dje, opozita kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor në lidhje me 4 koncensionet që janë dhënë në fushën e shëndetësisë.



