Kryetari i grupit demokrat, Myslim Murrizi, e cilëson fitore të opozitës parlamentare dakordësinë e kryeministrit Rama për hapjen e listave.
"Kjo është një fitore e parë e opozitës parlamentare. Ju pata thënë se avash avash edhe kryeministri do të ulet më këmbë në tokë, po ashtu edhe shumë të tjerë në ditët në vijim. Fitorja e grupit opozitar është e qytetarëve shqiptarë. Rama nuk miraton dhe voton asgjë në konferencë shtypi. Votimi në parim në komision hap rrugë që ligji të vijë në seancë", tha Murrizi.
Kreu i grupit demokrat e bëri këtë deklaratë pak pasi kryeministri Rama bëri publik qëndrimin e maxhorancës pro listave të hapura.
”Kemi vendosur të mbështesim një hapje të listave dhe t’i japim mundësi çdo zgjedhësi të zgjedhë subjektin dhe të shprehë preferencën e tij për deputetin apo deputeten. Është një vendim i cili reflekton bindjen tanimë se hapja e listave përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe qytetarësh shqiptarë që shkon shumë përtej një shumice apo pakice qeverisëse. Siç e tha Taulanti, përtej asaj që do të ishte zgjidhja më e thjeshtë dhe në pamje të parë më komode për një parti të madhe por edhe për mua personalisht", tha Rama.



