Protesta kundër qeverisë është sot në ditën e saj të gjashtëmbëdhjetë. Në lidhje me të dhe çfarë është arritur gjatë kësaj kohe diskutuan në studion e MCN Informacion analisti Klementin Mile, avokati Leonard Karaj dhe aktivistja Bora Mema.
Mile tha se reagimi qytetar ka prodhuar një kulturë të re politike. Avokati Karaj se është e hershme ideja e shndërrimit në një lëvizje politike, ndërsa aktivistja Bora Mema u ndal te komenti i fundit i kryeministrit për protestuesit.
KLEMENTIN MILE – ANALIST
Po ngjizet një kulturë e re politike. Deri tani kemi parë ose qytetarin që ikën, ose qytetarin që përshtatet. Për herë të parë, me këtë protestë kemi parë një qytetar që po reagon. Qytetari që ka dalë në shesh nuk është aty për të rregulluar një vend pune, jo për të rregulluar veten e vet dhe familjen, por për interesa publike. Për mua ky është produkti më i rëndësishëm i kësaj proteste. Por prodhohet qytetari i mirëfilltë i interesuar për çështjet publike dhe që reagon.
LEONARD KARAJ – AVOKAT
As protestat e 1990 nuk kanë qenë kaq konseguente në ditë. Njerëz të lirë që jo domosdoshmërisht mendojnë njëlloj, por që i bashkon një kauzë e vetme: shpërbërja e një autokracie. Shqipëria në këto 35 vite është marrë peng nga një klasë politike, që e ka trysnuar shoqërinë shqiptare. Pushteti ka mbjellë trishtim që të shihet vetë si shpëtimtar. Mendoj se është e hershme kërkesa për të prodhuar një lëvizje politike. Edi Rama po pret pikërisht këtë. Kjo nuk është një protestë vetëm e Tiranës. Po kërkohet dorëheqja e kësaj qeverie. Pra, nuk mund të ketë negociata të protestuesve me një qeveri të cilës i kërkohet dorëheqja. Ata protestues nuk janë kundër Amerikës. Nuk ka këtu vend për të thënë që janë antiamerikanë. Kjo është ajo që thotë Edi Rama që po bën të pamundurën të marrë nga Amerika një feedback politik. Këta njerëz e kanë seriozisht, nuk mund t’i yshtësh apo t’i blesh.
BORA MEMA – AKTIVISTE, DIASPORË
Ne i mbështesim këto protesta sepse jemi shqiptarë dhe prekemi nga të njëjtat probleme si shqiptarët në Shqipëri. Shqipëria nuk mund të ofrojë më mundësi për të jetuar atje. Prandaj shqiptarët janë larguar. Është shumë e rëndësishme të ushtrojmë presion dhe të shprehim solidaritetin tonë me atë që po ndodh në Shqipëri.
Edi Rama u thotë protestuesve fashistë. Rama është injorant, nuk e ka haberin e ideologjive në përgjithësi. Fashizmi është martesë e shtetit me elitat dhe korporatat.



