Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u pyet nga gazetarët nëse ka ardhur koha që PS të marrë përgjegjësi dhe të vendosë vija të kuqe ku u jep personave të caktuar poste publike.
Duke folur mbi kërkesën për arrestimin e Alqi Bllakos, Manja tha se përgjegjësia është individuale dhe se qeveria inkurajon hetimet e shpejta dhe objektive.
Qëndrimi i qeverisë dhe i PS sa herë ka të bëjë me çështjet e drejtësisë ka qenë i qartë. Çështjet e drejtësisë janë çështje të drejtësisë. Ne inkurajojmë drejtësinë për hetime të shpejta dhe objektive për çështje sensitive që i përgjigjen interesit publik. Ne kemi ndërmarrë si qeveri dhe PS një nga kryereformat, që është ajo në drejtësi. Ne kemi qenë të bindur kur e kemi ndërmarrë këtë reformën në drejtësi. Sot më shumë se kurrë se kjo ishte aspirata e 99% të shqiptarëve për një drejtësi të pavarur dhe të ndershme. Qëndrimi im është i qartë, çështjet e drejtësisë i takojnë drejtësisë. Kushdo që shkel ligjin përgjegjësia penale është individuale”.



