
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në një konferencë për media pas takimeve që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës. Ai tha se me ta pati më shumë se katër orë diskutime, dhe se nga Kurti ka kërkuar që njësia speciale të largohet nga objektet komunale të veriut dhe kryetarët përkohësisht ta ushtrojnë detyrën në objekte alternative. Kurse nga Vuçiç, Borrell tha se ka kërkuar që gradualisht të ndikojë në largimin e protestuesve rreth objekteve komunale në katër komunat e veriut. “Kemi kërkuar nga të shumë herë të deeaskalohet situata dhe të rikthehen në dialog. BE ka qenë e qartë për hapat, edhe SHBA po ashtu. Për fat të keq, çdo që kemi parë ka qenë e kundërta. Kemi shpenzuar më shumë se 4 orë me Kurtin dhe Vuciç në takime të ndara për ta gjetur një zgjidhje. Kemi prezantuar palët për Kosovën, që menjëherë t’i heqë njësitë speciale, dhe 4 kryetarët përkohësisht ta ushtrojnë detyrën jashtë objekteve”, ka thënë ai. Tutje, ai tha se në katër komunat veriore të Kosovës, duhet të shpallen zgjedhjet sa më parë, dhe se në këtë proces duhet të këtë gjithpërfshirje. Ai tha se liderët u pajtuan se duhet të ketë zgjedhje. Ai tha se të dy liderët, Kurti dhe Vuçiç e kuptuan se situata është serioze, por sipas tij qëndrimet e tyre ishin të ndryshme. “Dy liderët e kuptuan situatën, kanë qëndrime të ndryshme, interpretime të ndryshme. Për të shkuar përpara kam propozuar propozime konkrete. Në këtë kontest jemi pajtuar për zgjedhjet e jashtëzakonshme, dhe si të shkojmë atje, ende nuk jemi atje”, ka thënë ai. Borrell tha se ka kërkuar nga Vuçiç, lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës. “I kam theksuar presidentit Vuçiç që tre policët e mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”, ka thënë ai.



