Nga Durrësi ku bëri dhe ndalesën e radhës për të prezantuar kandidatët për debutet në zgjedhjet e 25 qershorit, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka sulmuar kryeministrin Edi Rama, duke i kujtuar sërish debatin televiziv, për të cilin tha se ka frikë të përballet.
Basha tha se Rama bën koncert variete me batuta e çitjane.
“Ka një javë që bën koncert variete, me batuta, me çitjane. Nuk jep llogari dhe nuk bën bilanc. Ulet mes sheshit, këndon, bërtet, fishkëllen por nuk jep llogari. A do e durojmë edhe 3 javë me koncertin variete. Është gati të bëjë dhe vertikalen në mes të Durrësit vetëm që të mos ta pyesni ku janë vendet e punës që premtoi, ku janë taksat e ulura. Kjo është arsyeja që nuk pranon as debatin televiziv. Mos harroni 300 mijë vendet e punës që premtoi mos harroni krimin, drogën, pasigurinë. Bëhuni gati t’i jepni forcë bashkimit të gjithë Shqipërisë. A ua ka borxh durrsakëve debatin me kryetarin e opozitës, a ua ka borxh qytetarëve. Edi Rama e dëgjon këtë zë por ka frikë të përballet me të vërtetat”, tha Basha.
Kreu i PD-së paralajmëroi vendime të vështira nëse do jetë kryeministër.
“Bëhuni gati t’i jepni forcë vendimit të madh që kemi marrë së bashku. E ka marrë Shqipëria, e ka marrë Kavaja, po Durrësi e ka marrë vendimin? Durrësi e ka marrë vendimin për Republikën e Re, për ekonominë e fortë. Për një kryeministër jo të tutave të çitjaneve, jo të qejfeve. Unë premtoj se do jem kryeministër juaj, i punëve tuaja, i halleve tuaja, i zgjidhjeve tuaja. Vendime të vështira na presin, për ta kthyer rrotën e ekonomisë. Jam gati të marr këto vendime, ndër të para ulja e TVSH-së, ulja e taksës së biznesit të vogël”, tha Basha.



