
Mëngjesin e sotëm në të gjitha pikat e kufitare në Serbi që shpien drejt Kosovës janë vendosur njoftime se përdorimi i letërnjoftimeve të lëshuara nga Kosova është mundësuar vetëm për arsye praktike, për hir të lirisë së lëvizjes së qytetarëve dhe se kjo nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës, raporton RTS.
Mundësimi i përdorimit të kartave të identitetit të lëshuara nga a Kosova bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, për të bërë pozitën e individëve më të lehtë dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes, në përputhje me Marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes të arritur në dialog në vitin 2011”, thuhet në shënim.
Po ashtu, theksohet se “nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së njëanshme të shpallur nga Kosova; është pa paragjykim për determinimin e statusit final të Kosovës, e as nuk mund të interpretohet se Beogradi po dorëzon të drejtat e saj që i ka sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1999”.
Ndërsa kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se më 1 shtator kosovarët të cilët do të udhëtojnë për në Serbi nuk do të kenë nevojë të pajisen me dokumente shtesë përcjellëse, kjo fal marrëveshjes e cila, sipas Kurtit u arrit më 27 gusht.
“Nuk ka dokumente përcjellëse, pra vetëm tregohet karta e identitetit. Pra qytetari i Kosovës kur kalon nëpër Serbi ose kur shkon në Serbi do ta bëjë këtë lirisht, pa marrë asnjë dokument tjetër dhe njësoj kur vjen ai i Serbisë, qysh ka qenë edhe në të kaluarën realisht nuk do të ketë nevojë që as polici jonë t’i jap dokument shtesë”, ka njoftuar Kurti gazetarët për detajet e marrëveshjes së arritur në Bruksel.
Megjithatë ai nuk ka anashkaluar tërësisht si opsion, mundësinë që më 1 shtator të lëshohen dokumentet hyrëse-dalëse në rast se Serbia nuk e respekton marrëveshjen e 27 gushtit.
Vendosja e tabelave vjen 24 orë para se të hyjë në fuqi marrëveshja për dokumente 27 gushtit mes Kosovës dhe Serbisë.
Por nuk është arritur marrëveshje për targat.



