
Me 3 korrik, PDK do të zgjedhë kryetarin e ri. Një ndër emrat e përfolur ishte edhe Gent Cakaj.
Mirëpo ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, përmes një statusi në Facebook e ka mohuar se është kandidat për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Unë nuk jam dhe nuk synoj të bëhem pjesë e asnjë partie politike në Kosovë. E dyta, unë jam tërhequr përkohësisht nga jeta publike deri në një vendim tjetër, për të cilin, me siguri, do t’iu njoftoj personalisht”, ka shkuar Cakaj në Facebook.
Pos Cakajt, është raportuar se edhe ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, mund t’i futet garës për kreun e PDK-së.
PDK është prej fillimit të nëntorit të vitit të kaluar me ushtrues detyre të kryetarit pas dhënies së dorëheqjes të ish kryetarit Kadri Veseli.
Veseli ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale. Ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së që nga atëherë është Enver Hoxhaj, njëherësh edhe kandidat për kryeministër në zgjedhjet e fundit parlamentare.



