
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të rikthehen në tryezën e dialogut sa më parë.
Përmes një deklarate zyrtare nga Departamenti Amerikan i Shtetit, bëhet thirrje që të dy vendet të arrijnë një marrëveshje që normalizon marrëdhëniet mes tyre. Departamenti i Shtetit ka theksuar se e përkrah dialogun me Serbinë për normalizim marrëdhëniesh “të përqendruar në njohje reciproke”.
“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin punën drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, të detyrueshme të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, që hedh bazat e një bashkëpunimi dhe prosperiteti të qëndrueshëm. Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE dhe inkurajojmë palët që të angazhohen përsëri në këtë proces me urgjencë për të adresuar çështje teknike dhe politike. Ne do të punojmë me Serbinë dhe Kosovën për të vënë në zbatim angazhimet e tyre në Uashington, në mbështetje të qëllimit të normalizimit të plotë të marrëdhënieve.”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kundërshtuar një “non-paper” që paraqiste vija të reja kufitare në Ballkan si zgjidhje përfundimtare për rajonin teksa kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të zbatojnë zotimet e nënshkruara më 4 shtator në Washington.
Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price, është thënë se “e ardhmja duhet të fokusohet tek qeverisja e mirë”.
“Siç e kemi parë, spekulimet e panevojshme kohët e fundit për ndryshim kufijsh në Ballkan në bazë të linjave etnike kërcënojnë të sjellin destabilitet në rajon dhe zgjojnë jehonën e tensioneve të mëparshme. Një e ardhme stabile, e begatë për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet tek qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, demokracia shumetnike dhe respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit.
SHBA-ja ka thënë se e vlerëson partneritetin e saj në mbrojtje dhe siguri me aleatët e rinj të NATO-s, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
DASH-i ka mirëpritur progresin e arritur nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në reforma dhe ka shprehur përkrahjen për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.



