
Presidenti Ilir Meta ka folur edhe njëherë për ‘konfliktin’ mes institucionit të Presidencës dhe Kryeministrisë, pas mosdekretimit të Gent Cakajt si ministër i Jashtëm.
Kreu i shtetit, u shpreh se pavarësisht deklaratave të tij, nuk ndihet i kërcënuar, ndërsa argumenton edhe mbrojtjen që i siguron Kushtetuta, si kryetar i shtetit.
"Nuk është problemi se unë ndihem i kërcënuar, por me shumë histori të tjera që lidhen me historinë time dhe karakterin tim. Jo më kot, Presidenti është institucioni më i mbrojtur në Shqipëri. Kur tentohet deri këtu kuptohet se situata është rënduar shumë në raport me institucionet, me raport me mediat (kadrinjtë)", deklaroi Meta
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit’, presidenti theksoi se një mbrojtje të tillë kryeministri nuk e ka, pasi me 71 vota mund të shkarkohet.
"Ndërsa Presidenti", deklaroi Meta, "duhet të jetë i mbrojtur nga çdo lloj presioni i shumicës dhe zgjidhet për të shmangur krizat".



