I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në një intervistë për “N1” , ka folur lidhur me procesin e dialogut mes dy shteteve.
Lajçak u shpreh se shoqëritë në të dyja vendet duhet ta kuptojnë se pa normalizim të marrëdhënieve, nuk kanë një të ardhme evropiane.
Ndër të tjera, ai ka thënë se shoqëritë në Kosovë e Serbi, nuk kanë presion për normalizim.
Lajçak ka thënë se “problemi kryesor është se procesi duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve”.
Epo, problemi kryesor është, procesi duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve. Së fundi kërkova një takim me përfaqësues të OJQ-ve dhe mediave nga rajoni.
I pyeta kush dëshiron normalizim? Dhe përgjigja ishte, ju, Bashkimi Evropian. Kështu që, problem është që është një proces që u mundësua nga BE-ja, por ne nuk e ndjejmë përpjekjen, presionin për normalizim nga shoqëritë, si në Kosovë, ashtu në Serbi.
Emisari evropian mes tjerash u shpreh se ka qenë dëshmitarë se si sa herë që dy liderët, kryeministri kosovar, Albin Kurti, e presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, janë pajtuar për diçka, kanë marrë kritika nga shoqëritë në vendet e tyre.
Ne kemi një marrëveshje që s’e kemi pasur kurrë më parë, marrëveshjen e Ohrit, që është një rrugë e qartë.
Por, unë kam qenë dëshmitar se sa herë që dy liderët, presidenti Vuçiç e kryeministri Kurti janë pajtuar në disa hapa drejt normalizimit, janë kritikuar nga shoqëritë e tyre. Pra, është e qartë, që elementi më i rëndësishëm është të kompletohet procesi, që të ndihmojmë shoqëritë që të kuptojnë se pa normalizim të marrëdhënieve, nuk ka të ardhshme evropiane.
Emisari ka theksuar se tani çështja më e madhe është se si të “të zbutet ndikimi i vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës në transaksionet me para të gatshme”.
Sigurisht, kjo është ajo që aktualisht po zë më shumë vëmendjen tonë. Pra, për fat të keq, ky është një realitet që është produkt i një niveli shumë të ulët të besimit mes dy shoqërive, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në përgjithësi.



