
Pavarësisht se vëmendja e botës është përqendruar tek përshkallëzimi i konfliktit Izrael-Iran, situata në Gaza vazhdon të jetë jashtëzakonisht e vështirë.
Izraeli vazhdon sulmet mbi popullatën civile, duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrim masiv.
Në një intervistë për “MCN Informacion”, aktivisti palestinez Atta Khaled flet për krizën humanitare që po ndodh në Gaza, ku ai veçon pengesat që Izraeli ka krijuar për bllokimin e furnizimeve të nevojshme për popullatën.
Unë do ta përkufizoja këtë situatë me fjalët e Antonio Guterres, i cili ka thënë se ajo që po ndodh në Gaza është një krizë humanitare. Por nuk është thjesht një krizë humanitare, është një krizë e njerzimit.
Që prej 60 ditësh, ajo që po ndodh është një gjenocid, dhe ka një mungesë të theksuar të ushqimit.
Për më tepër, disa orë më parë, Unioni Palestinez bëri thirrje për furnizime me ushqime për fëmijët, pasi ato janë të paaksesueshme në Gaza.
Izraeli po arrin të realizojë atë që nuk mundi ta bëjë me armë dhe forcë ushtarake, duke arritur ta realizojë përmes mungesës së ushqimit. Po pengohen organizatat humanitare që janë të njohura dhe të afta për të shpërndarë ushqime dhe ndihma për popullsinë palestineze.
Gjendja është edhe më dramatike pasi mungojnë energjia elektrike, ushqimi dhe nafta. Për më tepër, brenda një jave janë raportuar të paktën 300 viktima në zonat ku shpërndahen ushqimet.
Për Khaledin, me përshkallëzimin e konfliktit Izrael-Iran, vëmendja botërore është zhvendosur nga Gaza.
Ajo që po shohim tani është një zhvendosje e vëmendjes globale nga konflikti në Gaza në drejtim të konfliktit të ri mes Izraelit dhe Iranit, i cili mund të bëhet shkak për një luftë të tretë botërore, duke përfshirë përdorimin e armëve bërthamore.
Khaled thekson se Gaza po humbet gjithnjë e më shumë vëmendjen e medias botërore, duke i dhënë mundësinë Izraelit të shtojë edhe më shumë shtypjen dhe dhunën ndaj popullsisë palestineze.
Për më tepër, mundësitë që ka Izraeli për të kryer gjenocid në Rripin e Gazës janë të pakufizuara për shkak të kontrollit të kufijve.
Fusha ku mund të veprojë autoriteti palestinez është shumë e ngushtë dhe ka të bëjë kryesisht me lehtësimin e jetesës së popullatës, por jo më shumë se kaq.
Furnizimi me ushqime dhe ndihma të tjera për popullatën palestineze varen vetëm nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare. Por ato nuk kanë kapacitetin për të ndihmuar në masën që kërkohet.
Synimi i Izraelit, sipas aktivistit, është shkatërrimi masiv i Rripit të Gazës dhe shfarosja e popullsisë që jeton atje.
“Qëllimi i Izraelit është gjenocidi,” shtoi Khaled.



