Mbledhja e Këshillit Politik ditën e sotme për reformën zgjedhore ka përfunduar pa konsensus. Tema e diskutimit ka qenë zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së, e cila është shndërruar në përplasje mes palëve.
Në mbledhjen që zgjati afërsisht dy orë Partia Demokratike bëri një tjetër propozim për anëtarët e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, por që sërisht është hedhur poshtë nga Partia Socialiste. Sipas PD-së propozimi i ri u bë me qëllim të mos futjes në ngërç të reformës zgjedhore, ndërsa konsistonte në tre shtylla kryesore:
1-Çon të gjithë procesin e përzgjedhjes në kuvend, 2-reflekton dakordësinë e datës 5 qershor dhe 3-ruan formulën e çertifikuar nga Komisioni i Venecias për reformën në drejtësi.
Me propozimin e tyre PD thekson se në këtë mënyrë ruhet pavarësia dhe profesionalizmi i KQZ-së, ndërkohë që sipas tyre Partia Socialistë pretendon që anëtarët e KQZ-së të propozohen nga çdo deputet dhe të përzgjidhjen nga një komision i përbërë nga grupet parlamentare.
Ndërkohë përfaqësuesi i mazhoranës për reformën zgjedhore Damian Gjiknuri fillimisht tha se palët kanë afat deri më 30 qershor për të arritur marrëveshjen, ndërsa i dha garanci opozitës jashtëparlamentare se do të mbështesë kandidaturat e propozuara prej saj.
"E rëndësishme është që opozita do të jetë e garantuar që kandidaturat që plotësojnë kriteret nëse mbështeten prej saj do të garantohen nëpërmjet votës së mazhorancës. Kjo do të jetë dispozitë tranzitore. Do ta mbyllim sapo të gjejmë kompromisin,"- tha Gjiknuri.
Sakaq në mbledhjen e sotme të këshillit politik për reformën zgjedhore mungoi përfaqësuesja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari. Arsyeja mësohet të ketë qenë axhenda e ngjeshur që depuetja kishte.



