
Partia Socialdemokrate (PSD) ka vendosur sot para Qeverisë së Kosovës, 205 mijë nënshkrimet e peticionit të vitit 2016 kundër marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se Qeveria e Kosovës e ka braktisur vullnetin e qytetarëve. Sipas tij, këtë ekzekutivi e ka bërë dy herë.
Siç e dini kjo Qeveri e Republikës së Kosovës e ka braktisur vullnetin qytetar dhe atë dyfish. Njëherë duke braktisur peticionin me mbi 205 mijë nënshkrime të vitit 2015 dhe 2016 kundër marrëveshjeve me Serbinë, veçanërisht asaj që është për Asociacionin dhe vullnetin e dytë atë të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021.
Më 27 shkurt, në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova ka treguar gatishmëri për të nënshkruar planin evropian, porse Serbia nuk ka qenë e gatshme.
Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.



