
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi se shqiptarëve u mblidhen 200 mln euro në vit nga taksa e qarkullimit dhe asnjë cent nuk shkon për Rrugën e Kombit. Në një dalje për mediat nga selia blu, kryedemokrati ka akuzar kryeministrin Rama grabit dyfish shqiptarët dhe pastaj ju bie dyfish me kërbaç.
"Rama i grabit dyfish shqiptarët dhe pastaj ju bie dyfish me kërbaç dhe reagimi i tyre në Kukës është reagim kundër grabitjes. Merr 200 mln euro në vit nga taksa e qarkullimit për mirëmbajtjen e rrugëve, nuk shpenzon asnjë cent nga këto lekë për Rrugën e Kombit, por vendos një taksë të re. Nuk shpenzon asnjë cent nga 800 mln euro në 5 vite, por i jep me koncesion. Ata që u çuan janë njerëzit më të varfër dhe të braktisur në 20 vite", tha Basha.
Basha ka sqaruar se përsë shqiptarët duhet të ngrihen në mosbindje civile ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
“Mos paguani taksat e rritura, mos paguani TVSH, sepse këto taksa shpërdorohen nga Edi Rama dhe qeveria në pushtet. Mos paguani taksat, kjo është rruga për t’iu kundërvënë grabitjes së dyfishtë dhe padrejtësisë së dyfishtë. Nuk e arreston dot të gjithë popullin”, mbylli fjalën e tij Lulzim Basha.



