Andrea Mano i cili merr mandatin e deputetit të lënë bosh nga Ervin Salianji për qarkun e Korçës, thotë se e ka pranuar si mandat, madje ka plotësuar edhe dokumentet e nevojshme.
Në një komunikim për mediat ditën e sotme, ai deklaroi se është në pritje të marrjes zyrtarisht të mandatit nga parlamenti i Shqipërisë.
Unë jam deputet i PD dhe sigurisht që i bashkohem grupit parlamentar të PD.
Pas dorëheqjes unë kam bërë një akt revolte, thirrje për reflektim të gjithë PD ndaj ish kryetarit të PD.
Dorëheqja ime dhe e një pjese të madhe e anëtarëve të kryesisë dhe më pas e 280 demokratëve që kanë ikur ka qenë një protestë ndaj ish kryetarit të PD por jo ndaj Partisë Demokratike.
Pyetjes nëse Mano do i kthehet politikës pas mbarimit të mandatit si deputet, ai i përgjigjet:
Sigurisht që po, ndaj dëshirën time dhe vullnetin tim, për të qenë përfaqësues i qytetarëve të Korçës, një përfaqësi e cila pavarësisht përpjekjeve të mëdha në atë kohë nuk u arrit për shumë arsye por do t'i kthehem jetës aktive dhe do përpiqem që atë proces që nisëm në vitin 2021 ta çojmë deri në fund.
Ervin Salianji nisi vuajtjen e dënimit në burgun e Fierit mbrëmjen e 27 shtatorit pasi Gjykata e Apelit la në fuqi dënimin me 1 vit burg për veprën penale të “Kallëzimit të rremë” në lidhje me çështjen e njohur publikisht si dosja “Babale”.
Salianji u dënua më 18 dhjetor 2019 me 1 vit burg në shkallën e parë, pasi audio-përgjimi për dosjen “Babale” sipas gjykatës rezultoi se nuk ishte i vërtetë, por i stisur.



