
Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi në një organizim homazh për nder të popullit çam, ju ka bërë thirrje qytetarëve dhe opinionit publik të mos harrojnë Çamërinë.
Në kuadër të nisjes së aktiviteteve për “Javën Çame” që përkujton masakrat mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë, ai tha se do të jetë në Kuvend bashkë me deputetët e tij.
Idrizi theksoi se do të rikthehet çështja çame në Parlamentin e Shqipërisë.
“Padyshim në shtator jemi në Parlament për të paraqitur iniciativa ligjore për çështjen çame. Do të rikthehet çështja çame në parlamentin e Shqipërisë, do të tentojë të thyejë heshtjen mbi çështjen çame”.
Ndër të tjera tha se duhet “ngritur zëri dhe karshi heshtjes së shtetit për çështjen çame”.
“Java çame“, do të ketë organizime gjatë tërë javës në kujtim të çamëve të vravë dhe të dëbuar nga trojet e tyre. Gjatë javës, “Java çame” do të bartet edhe në Shkup të Maqedonisë me një aktivitet homazh, kurse të shtunën, do të mbahet homazhi i përvitshëm në kujtim të 2900 viktimave të gjenocidit grek të Krahinës së Çamërisë.
Ky vit, sipas organizatorëve, përkon edhe me 30 vjetorin e Shoqatës “Çamëria”.



