
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka përshëndetur rezolutën e Parlamentit Europian që dënon agresionin rus kundër Ukrainës.
Nëpërmjet një statusi në rrjete soviale, Meta i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë që përmes një rezolute të shprehë qartë dhe pa vonesë vullnetin e tij kundër pushtimit të Ukrainës.
“Miratimi me 637 vota i kësaj rezolute që prek të gjitha aspektet politike, ekonomike, diplomatike, humanitare, ligjore, si dhe pasojat tragjike që mund të shkaktojë përshkallëzimi i situatës, dëshmon solidaritetin dhe unitetin europian përballë rrezikut që i kanoset sot jo vetëm Ukrainës por edhe Europës dhe botës së lirë e demokratike.
Përshëndes vëmendjen e shtuar të Parlamentit Europian edhe ndaj rajonit tonë, çka duhet të na shtojë vigjilencën ndaj çdo tentative për destabilitet nga aktorë jomiqësorë.
I bëj thirrje Kuvendit të Shqipërisë që përmes një rezolute të shprehë qartë dhe pa vonesë vullnetin e tij kundër pushtimit të Ukrainës, ngjashëm me vendet e tjera të NATO dhe BE”, shkruan Meta.
Kujtojmë që të martën Parlamenti Europian miratoi me 637 vota pro, 13 kundër dhe 26 abstenim një rezolutë ku dënohet sulmi rus në Ukrainë dhe kërkohet dhënia e statusit kandidat për anëtarësim në union të këtij vendi.
“Parlamenti Europian u bën thirrje institucioneve të BE-së që të punojnë drejt dhënies së statusit të kandidatit për në BE, Ukrainës në përputhje me nenin 49 të Traktatit për Bashkimin Evropian dhe mbi bazën e meritës dhe ndërkohë, të vazhdojnë të punojnë drejt integrimit të saj në Tregun e Përbashkët të BE-së në përputhje me Marrëveshjen e Asociimit”, thuhet në rezolutë.
Ajo që bie në sy në pikën 35 të rezolutës së miratuar është shprehja e keqardhjes për Serbinë që nuk iu bashkua vendeve të BE-së me sanksione ndaj Moskës.



