
Ministria e Brendshme ka reaguar në lidhje me akuzat e opozitës për arrestimin e protestuesve të Kukësit, të cilët kundërshtuan taksën e “Rrugës së Kombit” dhe në shenjë proteste dogjën sportelet ku do të bëhej pagesa duke u përplasur edhe me forcat e policisë.
Në reagimin e saj ministria e Brendshme shprehet se pas akuzave të bëra nga opozita është bërë verifikimi i nevojshëm për punonjësit e policisë të cilët u angazhuan në protestën e Kukësit. Sipas saj janë respektuar ligjet dhe ëshë bërë zbatimi i urdhërimeve nga organi i Prokurorisë.
Ministria e Brendshme sqaron çdo gjë tjetë është spekulim dhe sulme politike për të hedhur “balt” ndaj Policisë së Shtetit. Sa i përket akuzave ndaj vëllait të ministrit Xhafaj, ministria thotë se nese ka prova ato të dergohen në prokurori.
Gjithashtu në këtë reagim shkruhet se personat që morën pjesë në protestë ishin me precedent të mëparshëm penal, gjë e cila shpjegon dhe dhunën me policisë dhe qytetarëve.
Në deklaratë thuhet se ndihemi të keqardhur që, në kohën kur policia po realizon aksione tepër të suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar, kultivimit e trafikut të drogës dhe kapjes së autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale, në vend që të bëhen vlerësime, vijojnë sulmet mediatike, të cilat tentojnë të relativizojnë rëndësinë e këtyre aksioneve.
"Njëherësh, është gati si fatkeqësi që njerëz, të cilët kanë pasur gjithë pushtetin e mundshëm për të bërë diçka kundër krimit e drogës, dhe nuk kanë bërë asgjë, të dalin sot e të kërkojnë llogari, sikur të kishin zbritur nga një planet tjetër. Lufta kundër krimit ka një kriter të pazëvendësueshëm matës – atë të rezultateve. Gjithçka tjetër është retorikë e kotë", mbyllet deklarata.
Më parë ishte Partia Demokratike ka publikuar një video, që sipas saj vërteton rrëmbimin e qytetarëve kuksianë në mes të natës në kundërshtim me ligjin.
Video është komentuar nga kryetari Lulzim Basha, i cili ndodhet për një vizitë punë në Berilin, ndërsa thotë se pas këtij akti të jashtëligjshëm, policia dhe prokuroria kanë falsifikuar në bashkëpunim me njëra-tjetrën dokumentat zyrtare.
Basha bën thirrje për reagim popullor, ndaj asaj që e quan padrejtësi ndaj kuksianëve kurajozë.



