Kanë kaluar 365 ditë që kur Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen në Ohër, për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve.
Një vit pas arritjes së dakordimit në Ohër rreth Aneksit për Zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka shprehur keqardhje për mungesën e përparimit duke kërkuar prej Kosovës dhe Serbisë që të thyejnë rrethin e tanishëm vicioz të krizave dhe tensioneve dhe të kalojnë në një epokë të re- evropiane.
Ai ka shtuar se presin që liderët e Kosovës dhe Serbisë të tregojnë përgjegjësi, vizion dhe lidership duke bërë progres në zbatim pa vonesa të mëtejshme.
Tensionet në veri që kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit dhe diskutimet për çështjen e dinarit që u aktualizua së fundi, kanë çuar në bllokadë zbatimin e pikave për të cilat Kosova dhe Serbia janë dakorduar në dialogun e Brukselit.
Entuziazmi që pati mbretëruar në Bashkimin Evropian pas arritjes së Marrëveshjes Bazë dhe aneksit për zbatimin e saj mes Kosovës e Serbisë, ishte shuar shpejt pasi mungoi vullneti për zbatimin e tyre. E pas shpërthimit të tensioneve në veri që kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, BE-ja u mor me menaxhimin e krizës duke e lënë dialogun nën hije. Për pasojë, asnjëra prej pikave të dakorduara nga marrëveshja e fundit nuk ka nisur ende së implementuari.
Zyrtarë të Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë akuzuar palët në dialogun Kosovë-Serbi se nuk po angazhohen mjaftueshëm për zbatimin e marrëveshjeve.
Kosova dhe Serbia u pajtuan më 27 shkurt për përmbajtjen e Planit Evropian për dialogun, ndërkaq më 18 mars në Ohër u dakorduar edhe për aneksin mbi zbatimin e planit.
Ndryshe, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej 1 shkurtit, kur nisi të zbatohet një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme, duke ndaluar dinarin serb.



