
Kuvendi me 102 vota “për” dhe asnjë kundër miratoi sot propozimin e Këshillit të Prokurorëve për shkarkimin e Katica Janevës nga funksioni i prokurores speciale publike.
Seanca vjen vetëm një ditë përpara skadimit të mandatit të saj të paraparë me ligjin e Prokurorisë Speciale, njofton AlsatM.
Më herët gjatë seancës, deputeti i VMRO-së opozitare, Ilija Dimovskiz si kryetar i Komisionit për Zgjedhje dhe emërime, në prezantimin e arsyetimit të për kërkesën e shkarkimit të prokurores speciale Katica Janeva, ka akuzuar pushtetin se me këtë prokurori ka kërcënuar deputet të VMRO-së për të mbështetur politikat e Qeverisë dhe ka mbajtur në kontroll BDI-në!
Ndërsa koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski tha se LSDM do të voton për shkarkimin e prokurores speciale, Katica Janeva. Ai akuzoi se VMRO-DPMNE-ja dhe kryetari i saj Hritijan Mickoski janë ende duke punuar në bazë të udhëzimeve të Nikolla Gruevski dhe se po punojnë për shpëtimin personave të akuzuar në këtë parti.
Deputeti Fadil Zendeli nga Lëvizja BESA tha se PSP-ja ka pasur qasje selektive në drejtësi dhe se në sistemin gjyqsor në vend duhet të inkorporohen ekspert të huaj.
Procedura për shkarkimin e Janevës kishte filluar për shkak të paraburgimit të saj si e dyshuar në rastin “Reketi”.
Pasi të miratohet në Kuvend , propozimi kthehet në Këshillin e Prokurorëve Publik, i cili do të duhet të merr vendimin përfundimtar.
Në ora 19:00 Këshilli Prokuror Publik do të mblidhet për konstatimin e shkarkimit të Katica Janevës, pas votimit në Kuvend.
Këshilli i Prokurorëve përveç shkarkimit të Janeves, do të shqyrtoj edhe mundësinë për marrjen e mandatit.



