Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, tha sot në Parlament se maxhoranca vepron me dy standarde kur është fjala për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në fjalën e saj në seancën e radhës, Xhixho iu referua deklaratës së kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili një javë më parë e mbrojti vendimin e maxhorancës për të mos ngritur komisionin hetimor për rastin McGonigal, duke e cilësuar një detyrim ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, po pa sqaruar se cilit vendim i referohej.
Xhixho solli rastin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tubimet.
Ky Parlament për këtë vendim duhej të ishte shprehur brenda datës 2.12.2021. me të marrë dijeni të këtij vendimi, që në mars të 2022 i kemi bërë kërkesë këtij parlamenti që vendimi të zbatohet menjëherë. Ndaj jeni me dy standarde kur flasim për vendimet e Kushtetueses. Me urgjencë do të duhej që e drejta për tubim në nenin 262 të Kodit Penal të ishte rregulluar që në dhjetor 2021. Jemi një vit e 3 muaj me vonesë. Ende nuk e kemi marrë këtë vendim. Jeni në shkelje të vendimit të Kushtetueses. Mos na vini më pas të na thoni se jeni duke zbatuar me urgjencë vendimet e Kushtetueses. Është ky Parlament që nuk i zbaton ato, edhe pse deputetët e kërkojnë në mënyrë të përsëritur.
Xhixho tha më tej se ngritja e komisionit hetimor po mbahet peng në mënyrë të paligjshme. Ajo theksoi se Kuvendi i ka humbur funksionet e transparencës dhe llogaridhënies.



