Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, tha se LSI nuk është në opozitë me PS apo Rilindjen, por është në opozitë me keqqeverisjen dhe krimin e organizuar. Gjatë fjalës në Komitetin Drejtues Kombëtar të LSI, Kryemadhi tha se LSI do të përqafojë një manifest të ri politik që si shtyllë kryesore do të ketë luftën kundër krimit.
“Ne si LSI nuk jemi në opozitë me Rilindjen as me PS, ne jemi në opozitë me keqqeverisjen dhe në opozitë me krimin e organizuar. Me këtë strukturë kriminale e cila çdo ditë e më shumë po kap strukturat e shtetit, po kap policinë e shtetit dhe tashmë ka shtrirë duart drejt strukturës së drejtësisë. Nëse deri dje ne diskutonim për një sistem drejtësie të korruptuar, tashmë do të fillojmë të diskutojmë për një sistem drejtësie të kriminalizuar. Prandaj është shumë e rëndësishme që secili nga ne jo vetëm të zgjohet brenda vetes së tij, por të zgjojë shokun, mikun sepse është një alarm që cdo ditë e më shumë do të bjerë më fort për të ardhmen e Shqipërisë dhe për të ardhmen e brezave që do të vijnë”, tha ajo.
“LSI do të përqafojë një manifest të ri politik ku si shtyllë kurrizore të saj do të jenë jo vetëm çështje të sigurisë dhe rendit publik, por për të mos pasur më kriminelë policë apo policë kriminelë që luajnë me jetën e fëmijëve tanë”, shtoi Kryemadhi.



