
Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së Jamarbër Malltezi foli në edicionin e lajmeve në MCN TV lidhur me Memorandumin e Bashkëpunimit që u nënshkrua dje për ndërtimin e Portit turistik të Durrësit.
Malltezi vuri në dukje se për sa kohë që s’ka transparencë projekti bart pikëpyetje korruptive, duke ngritur dyshime se në lojë janë pazare, që janë negociuar te “Nusreti”.
Ndër të tjera Malltezi tha se një nga punonjësit që kryeministri autorizoi të firmoste, ishte administrator i një kompanie të një të afërmi të ish-kryedemokratit Lulzim Basha.
Partia ka disa muaj që flet për këtë çështje, ne kemi parë se si ministrat hanin pjata të Nusreti. Për sa kohë s’ke transparencë bart në vetvete pikëpyetje korruptive. Çështja është çfarë fitojnë qytetarët e Durrësit, jo shteti i Ramës! Kush janë personazhet e fshehura pas perdes që do lëvrojnë paratë?! Zonja ministre tha që qytetarët fitojnë punësim, ndërkohë që në Durrës kanë filluar të shiten apartamente, po financimet kush i fiton. Çfarë fitojnë qytetarët e Durrësit, lugën e zbrazët?! Të ligjshmen dhe të paligjshmen, dy gisht e ndajnë, çfarë bëhet poshtë dhe lart tavolinës. Qeveria ka negociuar te Nusreti. Nuk është toka jote z.Rama, është tokë e durrsakëve dhe ato duhet të jenë aksionerë, jo ti. Kanë jetuar në atë pisllëk që ke mbajtur ti. Për sa kohë situate është e paqartë lë dyshime për abuzime. Nëse do ishte zhvillimor projekti do kishte konsultime publike, edhe vlerësim të ndikimit në mjedis. Thjesht paraqesin disa 3D. 3D paraqiti edhe trenin, e mori nga Doha e Katarit.
Janë skema që të gënjejnë mendjen e qytetarëve. Në Durrës ka filluar shitja e apartamenteve nga qerratallarët e politikës. Po të donte të bënte gjë të mirë Rama, mund të bënte konkurs ndërkombëtar. Këto propozime të ishin publike. Ka Durrësi arkitektë, urbanistë. U bë me negociatë të fshehtë te Nusreti, kemi të bëjmë me pazare. U vu re qartazi që një nga punonjësit që autorizoi Rama të firmoste, ishte një administrator i një kompanie të një të afërmi të Bashës. Ai kishte vendosur të firmoste për kompaninë edhe pasi në letra kishte dhënë dorëheqjen. Ka dokumente që janë bërë publike nga Adriana Kalaja. Kjo ishte aferë, ishte pazar. Më pas ka dhënë dorëheqjen. Kalaja vërtetoi që edhe pas dorëheqjes ai kishte vendosur personat që do ta zëvendësonin”.



