
Presidenti Bajram Begaj në fjalën e tij në samitin e Diasporës vlerësoi rolin e shqiptarëve jashtë kufijve duke thënë se janë promotorë të kulturës dhe identitetit të Shqipërisë. Begaj tha se nuk duhet harruar gjuha shqipe dhe se prindërit duhet të kenë rol parësor për të përcjellë gjuhën shqipe tek të gjithë ata fëmijë që jetojnë në trevat shqiptare apo në botë.
Diaspora është promotorja më eficiente e kulturës dhe identitetit tonë, kartvizita e shqiptarisë në botë. Ju, në rrugën tuaj të mbushur me sakrifica, nuk e keni harruar kurrë Shqipërinë. Shqipëria nuk e ka luksin ta neglizhojë diasporën.
Nuk duhet ta shohim atë si pjesë të shkëputur, por si zgjatim të natyrshëm të kulturës dhe identitetit tonë. Historia na mëson se vendi ynë vetëm ka përfituar nga bijtë e saj jashtë. Kushtet kanë ndryshuar rrënjësisht, por kemi akoma shumë për të bërë. Ju ftoj të kontribuoni aktivisht me ide, sugjerime, projekte e sipërmarrje për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, ekonominë e turizmin, si dhe sferat në të cilat ju mendoni se duhet të punojmë më ngushtë bashkarisht.
Më tej ai shtoi se vendin tonë e bën veçanërisht të dashur për shqiptarë e të huaj marrëdhënia e çlirët e miqësore që dimë të krijojmë, natyra shumë e veçantë, tradita kulinare e sofrat e bukura për familje, miq e dashamirës, dhe besimi në burimet natyrore, njerëzore e kulturore.
Është gjuha shqipe, ajo, që i jep jetë e kuptim të gjitha këtyre, për ne brenda e ju jashtë vendit. Unë do të vijoj të mbështes punën e nisur nga Institucionet shtetërore për shpërndarjen e librave shqip nga autoritetet shtetërore për komunitete shqiptare në diasporë, por kjo nuk mjafton. Fëmijët duhet të kenë më shumë mundësi të mësojnë shqip, kudo ku të jenë.
Përdorimi i gjuhës shqipe nuk mund të bëhet me urdhër, ai del si nevojë e komunitetit për të ruajtur atë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Ndaj, roli i prindërve në përcjelljen e gjuhës shqipe te fëmijët është parësor. Mësimi dhe cilësia e përdorimit të gjuhës shqipe duhet të jenë prioritete që na bashkojnë. Shiheni si investim në të ardhmen tuaj këtë gjuhë të rrallë e të pasur në zemër të Evropës.
Begaj tha se në përforcimin e imazhit të një vendi të qetë, kultivues të vlerave demokratike, tolerancës e bashkëjetesës fetare kontribuojnë me mijëra shqiptarë të punësuar në sektorë të ndryshëm anë e mbanë globit.
Ata janë pjesë e komuniteteve afër apo shumë larg rajonit tonë dhe sjellin në përditshmërinë e kulturave të tjera emrin dhe vlerat më të mira shqiptare. Ndaj juve që jeni prezent e të gjithë shqiptarëve jashtë vendit që na ndjekin, dua t’ju falënderoj për kontributin tuaj të çmuar. I përulem me respekt sakrificës suaj të pafund. Shqipëria është vendit i secilit prej nesh dhe i të gjithëve ne bashkë. Nuk i përket dikujt më shumë e dikujt më pak, nuk i përket më shumë atyre që janë brenda vendit. sesa atyre që janë jashtë tij.
Shqiptarët brenda e jashtë vendit kanë kontribuar njësoj për pavarësinë e Shqipërisë, për demokracinë, mirëqenien dhe avancimin e aspiratës për integrim në BE. Prandaj vetëm bashkë mund ta bëjmë Shqipërinë të zhvilluar, faktor vendimtar në rajon dhe anëtare të denjë në familjen evropiane. Kjo do të jetë pasuria më e madhe e secilit dhe kapitali që duhet t’i transmetojmë brezave të rinj në mënyrë që historia jonë të kthehet në histori suksesesh e ëndrrash të bëra realitet sa në vend aq dhe jashtë tij.



