Partia Demokratike denoncoi të enjten situatën e vështirë që po kalon familja Balla në Kombinat, e cila vazhdon të jetojë në shtëpinë e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Bukuria Balla i tha zëdhënëses së PD-së se prej 9 muajsh jeton me bashkëshortin në shtëpinë e dëmtuar pasi nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Ajo shprehet se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga qeveria dhe Bashkia Tiranë ndërsa shton se askush nga komisionet e vlerësimit nuk ka ardhur për t’i vlerësuar gjendjen e shtëpisë.
“Kanë ardhur, i kanë parë, maksimumi... por asnjë gjë nuk më kanë dhënë. Vijnë, shikojnë dhe marrin kokën dhe udha e mbarë,” thotë Bukurie Balla, duke shtuar se nuk ka as dokumente.
“Unë nuk jam e zonja për ta përballuar fare më. Kam qenë pa bukë, hapni raftet e mia e shikoni, se po laj borxhet e qirave të dynjasë. Më mirë në shtëpinë time e di se vdes në shtëpinë time, do të vdes, të vdes,” vazhdon ajo më tej.
Prej një muaji opozita denoncon raste të ndryshme familjesh të mbetura pa zgjidhje nga situata që la pas tërmeti i 26 nëntorit, i cili u mori jetën 51 personave.
Rastet e sjella nga PD-ja kanë qenë nga Thumana, Durrësi, Shijaku, Kurbini, Mamurrasi, Bubqi, Lezha dhe Tirana.



