Gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e KE, Ursula von der Leyen, kryeministri Rama u ndal edhe te samiti BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në dhjetor në Tiranë. Rama tha se ky samit do t’u japë disa mundësinë të njohin një Shqipëri tjetër.
Pritshmëria është të zbresin në Tiranë një herë të gjithë liderët e Europës. Të diskutojmë për temat e Ballkanit Perëndimor, të shohim ç’është bërë e ç’mund të bëhet për vitin e ardhshëm deri në samitin tjetër. Është krijuar një sinergji pozitive BE-Ballkani Perëndimor. Edhe pse nuk jemi BE, atë e kanë kuptuar mirë. Europianë ne, europianë ata. Fatet në gjëra të mëdha i kemi të përbashkëta. Kemi bërë avancime historike në raport, rajon ku Shqipëria ka një rol të dorës së parë në BE.
Bashkë me delegacionet do vijnë edhe shumë gazetarë që i përkasin kategorisë së politikës e që rregullisht mendojnë që Shqipëria është vend i rrezikshme e do kuptojnë që Shqipëria ka vetëm një rrezik: të dashurohesh me të. Ju e keni kaluar tashmë, e keni humbur dashurinë tashmë.



