Pedagogu Ervis Iliazaj zbuloi në emisionin “Stay Tuned” në MCN TV se ka pasur një debat me prindërit në rininë e hershme, pasi dëshira e tij ishte të bëhej futbollist.
Iliazaj rrëfeu se babai i tha një këshillë që i ndryshoi mendjen për të vazhduar studimet e larta.
Iliazaj thotë se pranoi duke vendosur si kusht, të studionte shkenca politike dhe jashtë Shqipërie, në Romë.
Në gjimnaz luaja futboll dhe pasioni im ishte të bëhesha futbollist. Kam pasur një debat të madh me prindërit e mi, për të vazhduar studimet e larta, apo për të ndjekur futbollin. Si gjithë prindërit duan të vazhdosh shkollën. Babai im më ka dhënë këtë këshillë dhe ma ka ndryshuar mendjen: ‘Ti bëj çfarë të duash, por sportit mund t’i kushtosh jetën dhe në fund fare mund të mos bësh asgjë. Kurse me studimet e larta të paktën do krijosh një profesion, do ecësh përpara’. Dakord i thashë, kam vetëm një kusht: Të studioj shkenca politike dhe jashtë Shqipërisë. Po flasim për vitin 2004-2005, ku sapo ishin hapur Shkencat Politike dhe prindërit me thanë ‘çfarë është kjo?’. Ishte gjë e re për Shqipërinë. Në Shqipëri është krijuar ideja sikur po të studiosh shkencat politike do bëhesh deputet, s’është kështu”.
Iliazaj thotë se ishte përzgjedhës në lexime dhe nuk ishte nxënës me të gjitha dhjeta.
Kam qenë fëmijë i mbarë. Kur ishe gjimnazist ikja nga shtëpia dhe kthehesha vonë. I kam lënë ndonjëherë orët e mësimit. S’kam qenë nga ata studentët që kalonte shumë orë mbi libra. Lexoja pak, ato lëndë që më pëlqenin. Nuk i kam pasur të gjitha dhjeta. Lënda që urreja më shumë ishte kimia”.
Iliazaj thotë se është kritiku më i madh i vetes.
Nuk flas, sepse kam frikë nga vetja. Në kuptimin që nuk dua të zbuloj...Shpesh shprehja është ‘ji vetvetja’. Nuk e kam qejf këtë shprehje. Unë mundohem ta krijoj veten. Prandaj nuk flas me veten. Jam kritiku më i madh i vetes, nuk e shikoj asnjëherë veten nëpër emisione, për të parë si kam qenë, si kam folur. Po ta shoh do ta grij veten me kritika”.
Ndër të tjera Iliazaj thotë se nuk është aspak një person romantik dhe ka si talent të fshehur aktrimin.



