
Deputeti demokrat Lefter Gështenja në një komunikim për mediat ditën e sotme deklaroi se në muajin janar ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë propozimet për ndryshime në ligjin nr. 152/2013 “Për Nëpunësin Civil”, të ndryshuar.
Ai bën të ditur se këto propozime vijnë pas një pune tre mujore në konsultim me ekspertë të fushës, me punonjës të administratës publike si dhe me të gjithë faktorët dhe aktorët që impaktohen nga ky projektligj.
Sipas tij, propozimet synojnë të ndalojnë ligjërisht çdo mundësi, çdo tentativë të qeverisë apo të çdo strukture partiake, të detyrojnë punonjësit dhe nëpunësit publikë të shantazhohen për qëllime politike.
Këto dite në media është denoncuar skandali i platformës “Aktiv1sti”, ku më shumë se 70 mijë qytetarë, janë detyruar të regjistrohen dhe të përdoren vetëm për synime politike.
Siç është bërë e ditur, shumica e tyre, janë punonjës të administratës, të cilëve u kërkohet që të jenë aktivë politikisht në këtë platformë.
Skandali nuk ka të bëjë vetëm me faktin se administrata po përdoret për të dhënë një imazh të rremë të mbështetjes politike ndaj qeverisë, por edhe me faktin, se përmes këtij aplikacioni, të gjithë përdoruesit humbasin privatësinë, kontrollohen dhe monitorohen deri në dhënien e votës me detyrim për Partinë Socialiste.
Por skandali i platformës “Aktiv1sti” nuk është i vetmi. Raportet e OSBE/ODIHR-it dhe institucioneve të tjera por edhe ne si opozite kemi vërejtur se përmes komunikimit digjital, qeveria ka abuzuar ndjeshëm për qëllime politike.
Platformat e rrjeteve sociale dhe në veçanti Whatsapp janë përdorur dhe përdoren edhe sot në mënyrë të kontrolluar për të ushtruar presion politik ndaj çdo punonjësi të administratës publike.
Ky presion është aq i shëmtuar dhe i rëndë sa në faqet personale të punonjësve te administratës publike gjen materiale propagandistike të Kryeministrit apo të titullarëve të tjerë në të gjitha nivelet.
Gështenja shton se mjafton të shohësh like, sharet dhe komentet në faqet e Kryeministrit, ministrave, kryetarëve të bashkive apo drejtuesve të qarqeve, dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme ku e gjithë administrata në orarin zyrtar është e përfshirë me detyrim në këtë skandal.
Ai tha se është fakt që sot administrata publike nuk vlerësohet për performancë në lidhje me shërbimet ndaj qytetarit, por për performancë në shërbim ndaj titullarit.
Pikërisht, me synim për t’i dhënë fund përdorimit politik të administratës publike, projektligji i propozuar ndalon çdo nëpunës civil apo punonjës që ushtron një funksion jopolitik në administratën publike, që të krijoje grupe, platforma komunikimi, apo te postojë, reagojë, shpërndajë, komentojë postime me përmbajtje politike në rrjetet sociale.
Këto ndryshime ligjore, që vijnë edhe në kuadër të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, ndalin përfundimisht çdo tentativë të qeverisë për të mbajtur nen presion administratën publike.
Ndryshimet ligjore do garantojnë se asnjë punonjës i administratës nuk do jetë më i detyruar të marrë pjesë me detyrim në mitingje politike, në takime gjoja informuese të qeveritarëve, në shpërndarje apo komunikim virtual, dhe në asnjë platformë të paligjshme si Aktiv1sti.
Këto ndryshime ligjore do i kthejnë dinjitetin administratës publike dhe të gjithë nëpunësve të shtetit të cilët në këto vite janë shantazhuar për vendin e punës apo janë detyruar të punojnë për pushtetin.
Gështenja tha ndër të tjera se Edi Rama nuk duhet të fshihet dhe as të vonojë miratimin e këtyre ndryshimeve ligjore, në të kundërt, ashtu siç po bëhet evidente çdo ditë, synimi kryesor i Edi Ramës është vetëm pushteti, pavarësisht kostos që mban Shqipëria dhe shqiptarët.



