Ndryshimi i sistemit zgjedhor ka përplasur, kokë më kokë, dy opozitat. Ka qenë Rudina Hajdari nga opozita parlamentare që ka akuzuar opozitën politike jashtë Kuvendit se po bllokon ndryshimin e sistemit.
Hajdarit tha se opozita politike e ka kundërshtuar hapjen e listave, ndërsa PS ka deklaruar se është e hapur për ta parë.
“Ky debat ka ardhur me 51 mijë firma dhe më shumë.Nëse shkojmë drejt debatit kemi kohë mjaftueshëm për të ndryshuar apo jo Kushtetutën kemi zgjidhje për të dy variantet por duhet vullneti politik”, ka deklaruar ajo.
Hajdari u bëri thirrje palëve që t’mos bllokojnë variantin që fuqizon qytetarët për të zgjedhur drejtëpërdrejt deputetët e tyre, duke shtuar se shoqërisë i nevojitet një parlament cilësor, ku dëgjohet edhe zëri i qytetarëve, jo vetëm i kryetarëve.
Sipas saj, në çdo parti, po të shihen listat aty do gjenden vetëm servila. Ajo thekson se kryetarët duan njerëz që mund t’i menaxhojnë dhe jo ata që kanë një mendim të pavarur.
“Ftoj partitë opozitare që duan ndryshim në këtë vend jo vetëm të bëjnë video dhe të vjedhin kauzat e të tjerëve, as të dalin në sheshe e ulërasin kot, por të mbështesin hapa konkrete që u japin të drejtë qytetarëve të zgjedhin deputetët e tyre në mënyrë të drejtëpëdrejtë”, tha Hajdari.
Në fund të fjalës së saj, ajo deklaroi se mbetet e vendosur në këtë kauzë dhe “s’do të lëshojë pe” në këtë drejtim.
“Do ti qëndroj kësaj kauze deri në fund, nuk lëshoj asnjë centimetër”, tha ajo.



