Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm mbrëmjen e sotme në 70-vjetorin e Universitetit të Mjekësisë Tiranë.
Teksa e ka cilësuar si një moment të rëndësishëm për këtë Universitet, ai tha se ky institucion i rëndësishëm ka nxjerrë breza të tërë profesionistësh, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme ndër dekada dhe vazhdojnë sot e gjithë ditën të mbrojnë jetën e shëndetin e njerëzve.
Sipas tij, gjëja që vlen këtu të theksohet janë shkëmbimet sistematike tashmë që universiteti mjekësisë ka me atë të Bolonjës dhe Pescaras.
Është një moment shumë i rëndësishëm për universitetin e mjekësisë i cili është një universitet që për hir të së vërtetës sidomos vitet e fundit na shërben dhe si një shembull se si shkohet përpara jo duke kërkuar çdo gjë nga qeveria, shteti, por dhe duke marrë vetë iniciativën. Dëshiroj të falënderoj dhe t’ju shpreh dhe nga ana ime mirëseardhjen miqve që janë këtu në sallë, dhe partnerëve të universitetit që janë dëshmitarë të progresit që ka bërë universiteti i cili kur ka nisur si institucion i lartë mjekësor, ka pasur një staf akademik të diplomuar në universitete prestigjioze jashtë vendit dhe ka pasur vetëm 61 studentë, ndërsa sot është një universitetet me një numër të konsiderueshëm studentësh dhe nga ana tjetër bëhet gjithnjë e më e qartë se duhet gjetur rruga për tu rritur si numër duke shpërndarë dhe pak barrën e mbarëvajtjes së studimeve të tyre. Por gjëja që vlen këtu të theksohet është ajo që preka pak më parë dhe që lidhet me shkëmbimet sistematike tashmë që universiteti mjekësisë ka me atë të Bolonjës që dihet se çfarë institucioni me vlerë të madhe është në mozaikun e institucioneve në Evropë dhe me atë në Pescaras. Nga ana tjetër universiteti mjekësisë në Tiranë është i pari në renditjen për fondet e përthithura nga fondet e Bashkimit Evropian dhe ky është një ogur shumë i mirë për të nesërmen sepse ndërkohë që po bëjmë të gjitha përpjekjet për të rritur bazën në arsimin lartë është e domosdoshme që ata të përgjigjen dhe krijojnë mundësinë për ti përthithur ato fonde. Vitet e fundit fatmirësisht ka një rritje të ndjeshme të fondeve nga BE dhe nga ana tjetër shtoj këtu dhe fatin që janë rreth 300 studentë dhe profesorë që kanë përfituar nga programet e shkëmbimit të BE dhe nëse ne do të arrijmë të fusim universitete tona në sistemin e arsimit të lartë të BE kjo do të jetë një fitore e madhe, do të jetë një autostradë që do hapet përpara dhe jam i bindur se ndër më të përgatiturit është ky universitet. Nuk dua të zgjatem shumë sepse besoj se kjo është dita për të ndarë ju me njeri tjetrin kaq shumë gjëra që janë për tu ndarë në 70 vite histori.



