
GJKKO ka shpallur të pafajshëm për akuzën e shpifjes deputetin socialist, Erion Braçe. Ky i fundit është paditur nga biznesmeni Anduel Çekrezi, muaj më parë, pas disa debatesh mes të dyve në rrjetet sociale.
Braçe është shprehur se Çekrezi se ka zaptuar tokën e fshatarëve në Imshtë të Lushnjes, pranë lumit Seman, për të ndërtuar një park fotovoltaik, ndërsa Çekrezi pretendon se tokën e ka blerë.
Vendimi i shpallur sot mund të apelohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve.
NJOFTIM PËR MEDIAT
Viktima akuzuese, shtetasi Anduel Çekrezi me datë 03.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin dhe shpalljen fajtor të z. Erion Braçe, për kryerjen e veprës penale të “Shpifjes”, së kryer botërisht, parashikuar nga neni 120, paragrafi i dytë i Kodit Penal”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, me vendimin nr. 45, datë 03.06.2026, vendosi:
1. Deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit Erion Braçe, për kryerjen e veprës penale të “Shpifjes”, e kryer botërisht, parashikuar nga neni 120, paragrafi dytë i K.Penal.
2. Shpenzimet gjyqësore mbeten siç janë bërë.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës.



