
Në vigjilje të seancës së Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, ku pritet të merret vendim mbi kontestimin e Ligjit për Gjuhët, Bashkimi Demokratik për Integrim ka dërguar letër deri te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO
Përmes kësaj letre të siguruar nga RTV21, integristët kërkojnë nga BE-ja NATO dhe SHBA-të që të reagohet me kohë, që të parandalohen vendimet shfuqizuese të Kushtetuese, me qëllim që të ruhet Marrëveshja e Ohrit, në të kundërtën, thonë se do të minohet paqja, do të rrezikohet procesi eurointegrues dhe do të hapet rruga për paraqitje të akterëve destabilizues për vendin.
Më 11 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka caktuar shqyrtimin e nismave që vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e dispozitave kryesore të Ligjit për Gjuhët. Ekzistojnë shqetësime të besueshme se Gjykata mund të shfuqizojë deri në tetë dispozita, duke rrezikuar integritetin e ligjit dhe duke minuar vetë themelet e Marrëveshjes Paqësore të Ohrit. Një vendim i tillë do të prishte vitet e zhvillimit, duke vënë në rrezik harmoninë ndëretnike dhe duke destabilizuar ekuilibrin e brishtë që ka mbajtur vendin të bashkuar.
Marrëveshja e Ohrit nuk ishte thjesht një zgjidhje konflikti, ajo ishte një plan për një shtet multietnik, një model për rajonin dhe një angazhim për barazi dhe integrim. Cenimi i Ligjit për Gjuhët nuk do të përbënte vetëm një tradhti ndaj komunitetit shqiptar, që e sheh këtë ligj si një garanci të statusit të tij të barabartë, por do të dërgonte gjithashtu një mesazh të rrezikshëm se marrëveshjet e fituara me mund mundë të prishen. Kjo do të minonte besimin te institucionet shtetërore, do të përflakte tensionet ndëretnike dhe do të krijonte hapësirë për akterë destabilizues që kërkojnë të përfitojnë nga përçarjet brenda vendit.
Ne i bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, NATO-s dhe të gjithë garantuesve të Marrëveshjes së Ohrit që të veprojnë me vendosmëri. Një riafirmim i fortë dhe i qartë i rëndësisë së Marrëveshjes dhe Ligjit për Gjuhët është i nevojshëm tani më shumë se kurrë. Angazhimi diplomatik me të gjitha palët është thelbësor për të parandaluar një vendim që do të minonte paqen, do të destabilizonte vendin dhe do të rrezikonte regresin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.
Një iniciativë qytetare ka nisur një peticion online në mbrojtje të gjuhës shqipe drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke shprehur shqetësime lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe juridike në vend.
Nënshkruesit e peticionit kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të veprojë në mënyrë të pavarur, pa ndikime politike, dhe të respektojë parimet e Marrëveshjes së Ohrit, duke ruajtur harmoninë ndëretnike dhe stabilitetin e vendit.



