Përfitimi i 650 milionë eurove nga Eurobondi ka ngjallur një tjetër debat mes opozitës dhe mazhorancës, të cilët këtë çështje e shikojnë në këndvështrime të ndryshme.
Teksa kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një sukses për Shqipërinë, opozita e shikon si një borxh më tepër për vendin tonë.
Ish-deputetja Jorida Tabaku e ka cilësuar kryeministrin si një gënjeshtar i paskrupullt. Sipas Tabakut, Rama po fut në borxh shqiptarët në një kohë kur ekonomia është në krizë dhe bizneset janë duke u falimentuar.
Ndërkohë, ka ardhur dhe reagimi i kryeministrit Rama. Përmes një postimi në “Twitter” Rama ironizon ish-deputeten duke thënë “Përmbahu zonja Tabaku, përmbahu sepse gjuha e akuzave dhe fyerjeve nuk është as argument, as shembull qytetarie në një shoqëri që ka nevojë për t’u pastruar në gjak e në mendje nga helmi i fjalëve të rënda”.
Rama i drejtohet Tabakut, duke thënë se do apo nuk do opozita, Eurobondi ishte një sukses dhe triumf për Shqipërinë.
“Përmbahu zonja Tabaku, përmbahu sepse gjuha e akuzave dhe fyerjeve nuk është as argument, as shembull qytetarie në një shoqëri që ka nevojë për t’u pastruar në gjak e në mendje nga helmi i fjalëve të rënda, të cilat prej vitesh janë bërë buka dhe djathi i tregut të politikës… Doni s’doni ju Eurobondi ishte një sukses kuptimplotë, përmbajtja e të cilit është pasqyrë e qartë e zbrazëtisë së propagandës politike-mediatike kundër qeverisë dhe në fakt, kundër vetë Shqipërisë që ju e tregoni përditë si ferrin mbi tokë! Shqipëria dje triumfoi, doni s’doni”,-shprehet Rama.
Ish-deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar duke i kthyer një përgjigje Edi Ramës që e quajti 'Balonë tabake' ndërsa e akuzoi kryeministrin se borxhi i ri që mori në tregjet ndërkombëtare do të shkojë për projektet korruptive.
"Edi Rama është një gënjeshtar i paskrupullt. Sa herë është në vështirësi bën 2 gjëra: gënjen edhe më shumë shqiptarët dhe sulmon personalisht këdo që u thotë shqiptarëve të vërtetën se ai është përgjegjësi për krizën e rëndë të ekonomisë”, tha Tabaku.
Ajo theksoi se 650 milionë euro të tjera, të marra borxh, njësoj si borxhet e mëparshme të kësaj qeverie, do të shkojnë për projektet korruptive të Edi Ramës, që nuk kanë lidhje me interesin publik, por vetëm të 4-5 njerëzve.
“Ekonomia sot është në prag falimenti, bizneset po mbyllen, njerëzit marrin ushqim me lista, por Edi Rama vazhdon të firmosë koncesione korruptive 2,2 miliardë euro”, tha ish-deputetja.
Sipas saj, 650 milionë euro të tjera, të marra borxh, janë vetëm maja e ajsbergut. Një borxh ekstra për veset e vjetra të kryeministrit Rama, pa asnjë shqetësim për hallet e shqiptarëve.
“Me batutat e tij banale, bajate dhe të vjetra si ai vetë, mund të qeshin ata 5 veta që marrin tendera e koncesione, por jo 3 milionë shqiptarë. Ata janë skllevër që ai i ngarkoi me 4.2 miliardë taksa të rritura, i detyroi të largohen dhe që sot po mbyllin masivisht bizneset”, theksoi Tabaku.
“Sot prej Edi Ramës 1 në 2 shqiptarë është më i varfër. Sot prej Edi Ramës 1 në 2 shqiptarë është pa punë. Sot prej Edi Ramës 1 në 2 shqiptarë kërkon të largohet”, tha ajo.
Ish-deputetja demokrate tha se Edi Rama, si kryeministri më i paaftë, më i dështuar dhe më i korruptuar i vendit, është fatura më e lartë që po paguajnë shqiptarët.
“Nuk ka borxh të ri, amnisti fiskale për krimin apo kopje të shëmtuar programi që e shpëton nga largimi" tha Tabaku.
Kryeministri Edi Rama të mërkurën e quajti një lajm të jashtëzakonshëm emetimin e eurobondit 650 milionë euro nga tregu i kapitaleve.
Tani kreun e ekzekutivit nuk e pengon asgjë që të vërë në lëvizje Planin Kombëtar “SHQIPËRIA 2030”, për Rimëkëmbjen dhe Zhvillimin e Ri Ekonomik e Social të Shqipërisë, që e ka njoftuar më parë.
Rama iu përgjigj edhe opozitës, për akuzat e bëra lidhur me borxhin e ri në kurriz të vendit, që sipas tij, “janë një avaz që në këtë rast nuk shkon fare, ndërkohë që PD-ja është si fluturimi i balonës tabake pa bisht”.
“Ne kemi marrë dje një lajm shumë të mirë nga tregjet e kapitaleve dhe kemi arritur një rezultat që na inkurajon shumë dhe që faktikisht garanton planin e ri kombëtar Shqipëria 2030 për një transformim ekonomik e social, duke adresuar rimëkëmbjen se ne dolëm nga dy goditje njëra pas tjetrës dhe ambicien tonë për një shtysë të fortë para të ekonomisë dhe punësimit në vitet e ardhshme. Sapo të jemi gati në javët në vijime planin e ri kombëtar do të kemi një event të veçantë të prezantimit, si e ka bërë me dije ministri i Shtetit që është edhe koordinatori i punës për planin e ri kombëtar, nuk do të jetë plan zhvillimi në letër, aq më pak strategji në dokument që duhet përkthyer në masa, por një plan veprimi i kalendarizuar në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë. Ajo që ka ndodhur dje me Shqipërinë, është ajo që merr vlerësimin e situatës në aspektin e gjithë parametrave ekonomike dhe merr vlerësimin lidhur me riskun. Më vjen keq që ky lajm i jashtëzakonshëm nuk ka marrë vëmendjen e duhur”, tha Rama në një komunikim me mediat.



