
OSBE-ODIHR publikoi një ditë më parë raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, duke i cilësuar kryesisht transparente, ndërsa si problematika evidentohen shit-blerja e votave, përdorimi i burimeve shtetërore nga mazhoranca si dhe patronazhistët.
Lidhur me këtë raport, Sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi u shpreh se ODIHR ka dhënë vlerësim pozitiv për zgjedhjet. Sipas tij, qartë dhe pa asnjë ekuivok merita u takon qytetarëve për vlerësimin pozitiv të OSBE për zgjedhjet.
Ai thotë se PS tashmë është gati për të adresuar çdo rekomandim që nuk është adresuar ende dhe që propozohet nga OSBE.
Aktorët kryesorë patën besim të mjaftueshëm për të marrë pjesë në zgjedhje. Komisioni Qendror i zgjedhjeve i riformatuar u përkushtua në mbikëqyrje të procesit zgjedhor në mënyrë transparente. Vlerësimi i OSBE /ODIHR është padiskutim vlerësimi më pozitiv i dhënë ndonjëherë. Merita i takon qytetarëve shqiptarëve që shprehen vendosmërinë e tyre për të ushtruar të drejtën e votës në përputhje me rregullat dhe standardet në fushatën e zgjedhjeve. Si KAS, ashtu dhe Kolegji Zgjedhor shqyrtuan mosmarrëveshjet zgjedhore. Angazhimi ynë si forca më e madhe politike është adresimi i rekomandimeve. Një numër të rekomandimeve të OSBE dhe Komisionet u adresuan, të tjera mbetën të paadresuar. Dëshirojmë të shprehim gatishmërinë tonë me OSBE dhe për të vijuar përpjekjet me aktorët në vend për të adresuar rekomandimet në frymë e letër.



