
Presidenti Bajram Begaj, priti sot në një takim ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë. Begaj e falënderoi Kim për kontributin e dhënë në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë gjatë mandatit të saj në Shqipëri. Presidenti vlerësoi rolin dhe angazhimin domethënës të ambasadores Kim në avancimin e reformës në drejtësi, në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si edhe të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë të ambasadores Kim me institucionet shqiptare për nxitjen dhe koordinimin e bashkëpunimit mes agjencive të specializuara të dy vendeve për çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë, me fokus të veçantë në atë kibernetike. Presidenti falenderoi ambasadoren për angazhimin e saj në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes vendit tonë dhe SHBA-së, por edhe për rritjen e aktivitetit të bizneseve amerikane në Shqipëri. Duke çmuar marrëdhëniet e ngushta e njerëzore që ambasadorja krijoi me shqiptarët në të gjitha krahinat e vendit, si dhe duke i uruar suksese në detyrat e angazhimet e ardhshme profesionale, Presidenti Begaj shprehu besimin se ambasadorja Kim do të mbetet një mike e mirë e shqiptarëve dhe gjithmonë e mirëpritur në Shqipëri.



