
Sekretari i Përgjithshëm të OSBE, Thomas Greminger, është takuar pasditen e sotme me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, duke u shprehur i impresionuar nga rezultat e arritura deri tani në fushën e vettingut.
Në takimin me ministrin Xhafaj, shefi i OSBE dha vlerësimet më të larta për bashkëpunimin konstruktiv të Ministrisë së Brendshme me partnerët ndërkombëtarë në sfidat e përbashkëta. Ai u ndal te rëndësia e filozofisë së parandalimit të kriminalitetit nëpërmjet gjithëpërfshirjes së shoqërisë.
“Jam i impresionuar nga përpjekjet dhe rezultatet e arritura deri tani, në fushën e vetingut dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe qëndrojmë plotësisht të gatshëm për mbështetje të mëtejshme”, u shpreh Thomas Greminger.
Nga ana e tij, ministri Xhafaj e falënderoi për kontributin dhe rolin e rëndësishëm të OSBE-së dhe veçanërisht rolin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, për mbështetjen e dhënë në reformën në drejtësi dhe në hartimin e Dokumentit të Politikave Prioritare në Fushën e Rendit dhe Sigurisë.
Ministri Xhafaj bëri një përmbledhje të prioriteteve dhe rezultateve konkrete të Ministrisë së Brendshme në luftën kundër krimit të organizuar, vetingut në Policinë e Shtetit, operacionin “Forca e Ligjit”, si dhe arritjet në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Gjithashtu ai, vlerësoi kontributin në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, migracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit. Gjithashtu, ministri Xhafaj vlerësoi rolin aktiv të Prezencës së OSBE-së në fushën e Policimit në Komunitet.




