
Kancelari gjerman Olaf Scholz pritet të vizitojë javën e ardhshme Ballkanin Perëndimor. Ndalesat e para të turit dyditor pritet të jenë Kosova dhe Serbia më 10 qershor. Ndër të tjera, planifikohet një vizitë në trupat gjermane të KFOR-it në Kosovë. Kancelari gjerman pritet po ashtu të vizitojë edhe Greqinë dhe Bullgarinë.
Scholz do të jetë në Selanik, me ftesë të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, ku do t’i bashkohet nismës rajonale "Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP)". Më 11 qershor kancelari gjerman niset drejt Shkupit dhe mandej drejt Bullgarisë.
Fokusi i bisedimeve pritet të jetë perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimore dhe kontributi i Berlinit në përmirësimin e bashkëpunimeve. Përpos kësaj, një temë me rëndësi do të jetë reagimi i mëtejshëm i përbashkët ndaj luftës së agresionit rus kundër Ukrainës.



