
Ministria e Brendshme ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike lidhur me faktin se Policia e Shtetit nuk po i nënshtrohet vettingut, pasi punonjës të caktuar janë pjesë e krimit të organizuar.
Në një njoftim të saj, Ministria hedh poshtë akuzat për rastin e oficerit të policisë që u denoncua dje në emisionin fiks-fare ku bënte pazar me kokainë dhe theksoi se punonjësi i policisë Julian Balliu është pezulluar dhe shpallur në kërkim.
“Ky është treguesi më i qartë se aktualisht në Policinë e Shtetit nuk ka më të paprekshëm, apo të mbrojtur në “çadrën” partiake, ashtu siç tregon vullnetin e qartë për pastrimin e radhëve nga çdo efektiv që shkel ligjin.”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.
Në deklaratën e saj Ministria e Brendshme siguron qytetarët se, askush dhe për asnjë motiv, nuk do mund të ndryshojë vullnetin, për të luftuar krimin dhe goditur korrupsionin.
"Përpjekjet tona për konsolidimin e shtetit të së drejtës nuk do ndalen. Vetting-u në Policinë e Shtetit, i mbështetur fuqimisht nga partnerët ndërkombëtarë, është një mekanizëm ligjor që do ta përshpejtojë procesin. Vetting-u do të reformojë kapacitetet njerëzore në Policinë e Shtetit, duke promovuar pjesën më të shëndetshme, punonjësit më me integritet, të trajnuar, të mirë arsimuar, të cilët janë shumica në organizatë", vazhdon më tej deklarata.
Duke përfituar nga rasti, Ministria deklaroi se i bëjmë thirrje PD-së të heqë dorë nga dhuna verbale ndaj Policisë së Shtetit, e të punojmë bashkë për ta bërë vendin dhe jetën e qytetarëve më të sigurt.



