
Ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli ka folu për herë të parë gjerësisht për privatizimin e CEZ, ku është marrë në pyetje nga prokuroria ai dhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha.
Ruli theksoi se ai nuk mund ta konsideroj faktin se është thirrur në prokurori si sulm politik, ashtu siç e ka cilësuar Shkëlzen Berisha. Sipas Rulit, djali i ish-kryeministrit nuk është mësuar me sulme politike dhe se Shkëlzen Berisha i sheh gjërat më me emocione.
"Unë jam njeri politik. Jam mësuar me sulme politike. Më kollaj fle me armiqësinë sesa me miqësinë. Zoti Berisha, i vogli i sheh këto më me emocion sesa i shoh unë. Sulm politik është kur konkludohet vendimi politik", tha Ruli.
Ruli thotë se roli i Berishës në privatizimin e CEZ ka qene këmbëngulësi dhe iniciatori i privatizimit dhe kërkonte që të bëhej kjo procedurë. Sipas Rulit, procesi ka qenë shumë intensiv, që nga fillesa, kur qeveria më autorizoi mua si ministër.
Gjatë intervistës në "Studio e Hapur", Ruli ka folur edhe për disa emra që janë lakuar shumë në media se persona që kanë ndikuar në privatizimine e CEZ siç janë Hamza Merxhani dhe Ndue Kalaj, a Noel Kalaj.
"Nuk i kam njohur asnjëherë", ka thënë Ruli, "As para dhe as gjatë dhe as pas privatizimit. Për më tepër që të gjitha kompanitë që kanë marrë pjesë në atë garën e para kualifikimit, apo që shprehnin interes paraprak, edhe kur kanë ardhur në Shqipëri kemi bërë disa takime, I fundit konkludues ishte në formë koference".



